Ju ftojme të lexoni me vëmendje këtë intervistë të çmuar me Fjoralbën për tu motivuar dhe për të mësuar më shumë.
“Unë jam Fjoralba Golikja dhe momentalisht vazhdoj studimet e Masterit për Informatikë në Universitetin Teknik të Munihut. Paralel me studimet punoj si Technical Lead tek ReDI School of Digital Integration për t’iu mësuar azilantëve dhe refugjatëve programim, dhe punoj në Universitet si Student Research Assistant.
Unë mora pjesë në 2016 dhe fitova çmimin e parë në Software Development. Albanian Skills e dëgjova për herë të pare në një seminar që organizonte universiteti im Epoka. Vendosa të aplikoj vetëm për të provuar veten, duke mos e menduar në asnjë moment që mund të fitoja. Ishte diçka e re për mua, ndryshe nga shkolla dhe akitivitetet e tjera që kisha marrë pjesë. Fillimisht isha shumë në ankth, dhe mbaj mend që dhe kompjuteri nuk po punonte siç duhet, por me pas mendoj se shkoi shumë mirë.
Për mua AS ishte një ndër eksperiencat më të bukura, sepse njoha një komunitet të tërë që organizon dhe mbështet të gjithë ata që janë pjesë e AS. Në vizitën që bëmë më pas në Zvicër falë mbështetjes së AS, pamë një perspektivë tjetër se ku mund të çojnë aftësitë e tua. Për mua ishte shtysa kryesore që të sfidoja veten për të studiuar jashtë dhe për të rritur aftësitë e mia.
Mendoj se eksperienca të tilla vlejnë shumë. Jam përpjekur të shtyj të gjithë shoket dhe shoqet e mia për të marrë pjesë në AS, për të sfiduar veten dhe për të bërë diçka ndryshe nga detyrat e universitetit. Nuk kam qënë shumë në dijeni për edicionet e fundit, por unë do sugjeroja që të kishte një konkurs dhe për gjimnazistët që nuk janë në shkolla teknike, ose për ata që nuk kanë vendosur akoma për drejtimin e gjimnazit. Mendoj se të rinjtë hasin vështirësi në gjetjen e mundësive për të treguar veten dhe aftësitë e tyre dhe AS është vendi perfekt për ta.
Kohët e fundit prej Lojerave Olimpike Dimërore, lexova diçka për Patinazhin në Akull që do të doja ta kisha ditur në fillimet e mia. Gjëja e parë që mësojnë ata që merren me patinazh është se si të rrëzohesh. Ti mëson si të rrëzohesh në mënyrën më të mirë dhe më pas si të ngrihesh prapë në kembe. Mendoj se e njëjta gjë është dhe për cdo gjë tjetër, sidomos për fushën e teknologjise. Ne duhet të dime dhe ta pranojmë se do të rrëzohemi, do të kemi dështime, nuk do fitojmë në të gjitha konkurset, nuk do dalim gjithmone shumë mirë në provime. Por dështimet nuk duhet të na pengojnë për të provuar përsëri. Mendoj se frika për të dështuar, më ka penguar shumë herë jo vetëm mua por dhe të tjerëve për të nisur diçka dhe për të provuar veten. Prandaj ju ftoj për të provuar veten pavarësisht cdo rezultati”.
Ne i urojme Fjoralbës sa më shumë suksese dhe e falenderojmë për shembullin që përfaqëson .