“Pjesëmarrja jonë e parë në një Panair Karriere” – Praktikantët e SHTET dëshmojnë përvojën e tyre si pjesëmarrës në këtë panair, duke përfaqësuar AlbanianSkills

Zhvillimi i Panairit të Karrierës te universiteti Epoka shtrihet si një platformë e rëndësishme për të nxitur bashkëpunimin midis bizneseve dhe institucioneve arsimore, duke luajtur një rol kyç në promovimin e aftësive dhe inovacionit. Promovimi në universitete është veçanërisht i rëndësishëm për të krijuar mundësi të shumëfishta për studentët. Ky veprim lejon studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre praktike dhe ofron një terren përshtatshëm për bizneset të lidhen me talente të reja, duke i përfituar të dyja palët.

Në këtë kontekst, ne, duke qenë se zhvillojmë praktikën te Albanian Skills, morëm pjesë në këtë panair më datë 5 Mars 2024, nën logon e organizatës, për të promovuar veprimtarinë e organizatës dhe mundësitë që ajo ofron, nëpërmjet përfshirjes në projekte dhe nisma të ndryshme. Veprimtaria kryesore e organizatës përfshin organizimin e Konkurseve vjetore Kombëtare të Aftësive, dedikuar të rinjve të grupmoshës 16-25 vjeç, që këtë vit shënojnë vitin e nëntë. Krahas këtyre, edhe prezantimi i mundësive të shumta që ofron Albanian Skills, duke përfshirë praktikat profesionale që janë shumë të kërkuara dhe të vlefshme për zhvillimin e karrierës së të rinjve.

Në foto: Kristina & Klea Korra

Interesi kryesor kundrejt këtyre mundësive, u shfaq më së shumti nga studentët e degës së inxhinierisë së softuerit, pasi fusha e tyre e studimit është pjesë e nismave që ndërmarrim vazhdimisht. Ky interes tregon rëndësinë e fokusit në fusha specifike që janë në harmoni me nevojat dhe trendet e tregut të punës.

Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bizneseve krijon një urë të fortë që ndihmon në zhvillimin e talenteve dhe në përhapjen e inovacionit në mjedisin e arsimit të lartë. Ky partneritet është thelbësor për të siguruar që studentët të jenë të përgatitur mirë për sfidat e tregut të punës dhe të kenë mundësi të mira për të zhvilluar karrierat e tyre në mënyrë të suksesshme.

Gjithashtu, praktikat profesionale përfaqësojnë një shtyllë kyçe në formimin dhe zhvillimin e karrierës së studentëve, por dhe nxënësve, ashtu siç jemi ne, duke u ofruar atyre një mundësi të artë për të zbatuar teoritë e mësuara në klasë në mjedise reale pune. Këto përvoja praktike jo vetëm që i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë më mirë dinamikat dhe sfidat e tregut të punës, por gjithashtu i pajisin me aftësitë e nevojshme për të qenë më konkurrues dhe të suksesshëm në karrierat e tyre të ardhshme. Duke u ekspozuar ndaj sfidave reale dhe duke ndërtuar rrjete profesionale, studentët dhe nxënësit përgatiten më mirë për të përballur sfidat e tregut të punës, duke i bërë praktikat një hap thelbësor drejt suksesit profesional dhe personal.

 

Autoret: Klea Korra & Kristina Korra (Praktikante tek AlbanianSkills)